Vizita nga përfaqësues të delegacionit BE, Ministria e Brendshme dhe UNDP në Zyrat me Një Ndalesë

Zyrat me Një Ndalesë – Qytetarët tashmë përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve të përmirësuara
March 20, 2019
Shërbime adminstrative më cilësore: Inagurohen dy zyra të reja me një ndalesë
April 3, 2019

Vizita nga përfaqësues të delegacionit BE, Ministria e Brendshme dhe UNDP në Zyrat me Një Ndalesë

Sistemi Informatik i Zyrës me Një Ndalesë (SIZN) është tashmë funksional në 10 bashki në të gjithë Shqipërinë dhe 15 bashki të tjera janë përgatitur për vënien në funksionim të këtij sistemi.

Përfaqësues nga delegacioni i Bashkimit Evropian, nga Ministria e Brendshme dhe nga UNDP zhvilluan një vizitë në Pogradec, Librazhd dhe Cërrik për të parë nga afër si funksionon sistemi. Gjatë këtyre vizitave, ata u takuan me përfituesit e projektit dhe morrën përshtypjet e tyre se si është përmirësuar cilësia e ofrimit të shërbimit me përdorimin e sistemit informatik të zyrave me një ndalesë, si dhe diskutuan mbi çështje të qeverisjes vendore.

“Hapja e Zyrave me Një Ndalesë në të gjithë vëndin është një hap i rëndësishëm që pritet të përmirësojë performancën e bashkive në ofrimin e shërbimeve. Bashkimi Evropian mbështet gjithmonë e më shumë konsolidimin e qeverisjes vendore në Shqipëri. Kjo është e rëndësishme për qytetarët edhe në kuadrin e Reformës së Administratës Publike, e cila është një nga prioritetet kryesore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE” u shpreh Z. Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE në Shqipëri.

Në deklaratën e saj Znj. Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP në Shqipëri theksoi: “Sistemi i ri përbën një ndryshim në kulturën e punës, gjë që kërkon jo vetëm ndërgjegjësimin e qytetarëve për përdorimin e tij, por edhe angazhimin e punonjësve bashkiakë për të mësuar rreth sistemit dhe për ta përdorur atë në mënyrë perfekte. Qytetarët kanë pritshmëri më të larta për cilësinë e shërbimeve dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë të njëjtat nivele të ofrimit të shërbimeve si në sektorin privat. Zyrat me një ndalesë janë veçanërisht të dobishme për qytetarët me aftësi ndryshe apo qytetarët që banojnë në vende të largëta. ”

Veçoritë specifike të SIZN mundësojnë përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve administrative nga qeveritë vendore, duke reduktuar ndjeshëm kohën, distancat dhe burokracitë me të cilat duhet të përballen qytetarët. Gjithashtu, ato do të pajisin vendimmarrësit me evidencë mbi performancën, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies.

Duke filluar nga viti 2018, projekti i UNDP-së, STAR2 “Konsolidimi i Reformës Administrative dhe Territoriale” në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe bashkitë përfituese, ka avancuar me zbatimin e SIZN.

Pas një vlerësimi mbarëkombëtar mbi shërbimet e ofruara nga 61 Bashki të Shqipërisë, mesatarisht 76 shërbime janë kataloguar, testuar dhe validuar. Sistemi u krijua duke u bazuar në këtë vlerësim, si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesës për shërbime cilësore publike për qytetarët.  Gjithashtu, sistemi lejon shtimin e shërbimeve nga përdoruesi sipas nevojave specifike të institucionit vendor.

Projekti STAR 2 po punon për të forcuar kapacitetet institucionale dhe administrative të 61 bashkive të Shqipërisë; rritjen e efikasitetit të tyre në ofrimin e shërbimeve vendore dhe rritjen e demokracisë vendore.

STAR 2 mbështetet nga shumë partnerë ndërkombëtarë të zhvillimit përmes një mekanizmi të përbashkët financimi, ku përfshihen: Bashkimin Evropian, Qeveritë e Suedisë, Italisë, Zvicrës dhe USAID, UNDP dhe Qeverisë së Shqipërisë. Projekti zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.