Projekti STAR 2

Rreth Projektit STAR2 (Konsilidim i Reformës Administrative-Territoriale në Shqipëri)

Qeveria e Shqipërisë që nga shtatori 2013 ka nisur zbatimin e reformës administrative territoriale që synon riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore.  Më 31 korrik 2014, Kuvendi miratoi ligjin 115/2014 “Për ndarjen territoriale dhe administrative të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” duke ulur numrin e NJQV-ve nga 384 në 61 komuna. Ky ligj hyri në fuqi pas zgjedhjeve vendore të mbajtura në qershor 2015 dhe që atëherë qeverisja vendore në Shqipëri vepron përmes 61 bashkive, të cilat kanë marrë përgjegjësitë dhe sfidat e menaxhimit të çështjeve publike vendore. Ky proces ka përfituar nga mbështetja e projektit STAR.

Konsolidimi i 61 komunave të sapoformuara si rezulat i reformës administrative – territoriale është një prioritet i menjëhershëm dhe i ngutshëm që duhet adresuar për të siguruar një qeverisje vendore mirë funksionale dhe rritjen e ofrimit të shërbimeve, zgjerimin e shërbimeve në zonat rurale dhe në periferitë.

 

Projekti “STAR2” është një asistencë me financim të përbashkët për qeverinë e Shqipërisë, në mbështetje të konsolidimit të njësive vendore të Shqipërisë. Ky projekt ka një mbulim kombëtar, përfitojnë 61 bashki dhe synon të sigurojë ndërtimin e kapaciteteve për një funksionim më të mirë të administratave vendore, ofrim të përmirësuar të shërbimeve dhe të promovojë demokracinë vendore dhe vendimmarrjen me pjesëmarrje. STAR2 është bërë i mundur nëpërmjet bashkëpunimit dhe financimit nga Bashkimi Evropian, qeveritë e Italisë, Suedisë, Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara dhe PNUD-it.

 

Projekti u krijua në kuadrin e reformave të Qeverisë Shqiptare lidhur me qeverisjen vendore dhe decentralizimin, pas miratimit në praktikë të Reformës Administrative dhe Territoriale në vitin 2015. Projekti bazohet tek angazhimi mbarëkombëtar për reformimin dhe forcimin e qeverisjes vendore dhe të administratës publike në përgjithësi, për rritjen e efikasitetit dhe transparencës së institucioneve publike për t’iu përgjigjur me efektivitet pritshmërive të publikut dhe luftës kundër korrupsionit, për t’i vënë qytetarët në qendër të transformimit dhe modernizimit të ofrimit të shërbimeve dhe për të krijuar një frymë besimi, bashkëpunimi dhe vendimmarrjeje demokratike për një zhvillim të barabartë, gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm.

 

Projekti është hartuar në vazhdim të paraardhësit të tij STAR, nga i cili ka ruajtur dhe shkurtimin STAR – Mbështetje për Reformën Territoriale dhe Administrative, dhe u zhvillua plotësisht në vazhdën e asistencës dhe mbështetjes së aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për një qeverisje vendore më të fortë dhe më efektive.

Projekti do të mbështetet në praktikat e mira dhe do t’i zgjerojë ato në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore. Projekti gjithashtu do të përpiqet të plotësojë nismat e ndryshme të partnerëve kombëtarë ose ndërkombëtarë duke punuar në tema të mbështetjes së afërt  që duhet të adresohen për të siguruar një strukturë gjithëpërfshirëse të ndërtimit të kapaciteteve .

Projekti do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative të NJQV-ve, duke organizuar programe për forcimin e kapaciteteve dhe për forcimin e lidershipit që synojnë kryetarët e bashkive, zyrtarët e lartë vendorë dhe administratën publike vendore.
STAR 2 gjithashtu do të mbështesë përmirësimin e menaxhimit administrativ dhe financiar të ofrimit të shërbimeve, duke përfshirë ato që janë rezultat i delegimit të  fundit të kompetencave të reja në nivel vendor. Stafi kyç nga NJQV-të do t’i nënshtrohent trajnimit për të përmirësuar mënyrën e planifikimit, menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve.

Sikundër ndarja e re administrative dhe territoriale në Shqipëri ka zvogëluar numrin e njësive të qeverisjes vendore që çojnë drejt njësive më të mëdha administrative, zhvillimi i modeleve One Stop Shop, Zyra e Shërbimit me Një Ndalesë (OSSH) është një domosdoshmëri për shërbime më efikase. STAR 2 merr sfidën për të mbështetur ngritjen e OSSH në të gjitha njësitë administrative të mbetura.

STAR 2 do të mbështesë zhvillimin e një sistemi kombëtar të standardizuar të arkivave fizike vendore që çon në rritjen e transparencës dhe saktësisë së të dhënave. Kjo ndërhyrje mbështetet në rezultatet e pilotimit të arritura gjatë zbatimit të STAR1.

Projekti do t’i kushtojë vëmendje të veçantë promovimit të prodhimit dhe përdorimit të të dhënave të ndara sipas grupeve gjinore dhe  shpërndarjes sistematike të tyre,sikurse  dhe përdorimt të të dhënave në nivel vendor dhe kombëtar, në mënyrë që të sigurohet që shërbimet të adresojnë pabarazitë e përjetuara nga grupet vulnerabël.

Vëmendje do t’i kushtohet shqetësimeve të grupeve vulnerabël  për të siguruar që zëri i tyre të dëgjohet duke modeluar sisteme të shërbimeve publike ose  duke rekomanduar  mekanizma  pjesëmarrës.

 Kush e financon STAR2?

STAR 2 gëzon mbështetje nga një numër partnerësh të zhvillimit ndërkombëtar përmes një mekanizmi financimi të përbashkët. Partnerët ndërkombëtarë përfshijnë: Bashkimin Europian, Qeverinë e Suedisë përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar, Qeverinë e Italisë përmes Bashkëpunimit italian për Zhvillim, Qeverinë e Zvicrës përmes Bashkëpunimit zviceran per Zhvillim, Shteteve të Bashkuara përmes USAID, PNUD dhe qeverisë së Shqipërisë.