Qytetarët e Përmetit përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve të përmirësuara nga Zyrat me Një Ndalesë

Takimi Rajonal në Shkodër për forcimin e etikës dhe integritetit
March 8, 2019
Zyrat me Një Ndalesë – Qytetarët tashmë përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve të përmirësuara
March 20, 2019

Qytetarët e Përmetit përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve të përmirësuara nga Zyrat me Një Ndalesë

Sistemi

Informatik i Zyrës me Një Ndalesë (SIZN), është tashmë plotësisht funksional në Bashkinë e Përmetit.

Bashkia Përmet është bashkia e shtatë që përfiton sistemin informativ të zyrës me një ndalesë, për ofrimin e shërbimeve administrative vendore. Në javët e ardhshme, SIZN do të jetë funksional edhe në njësitë e tjera administrative të Përmetit, çka vjen si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesës për shërbime cilësore publike për qytetarët duke shkurtuar kohën, burokracinë dhe distancat. Përpara se sistemi të bëhej plotësisht funksional, stafi i Bashkisë Përmet është trajnuar mbi funksionin e zyrës me një ndalesë,  dhënien e shërbimit, dhe veprimet brenda administratës.

Sistemi i Zyrës me një ndalesë u përurua sot në Përmet, në prani të kryetarit të Bashkisë, z. Niko Shupuli, Ambasadorit Italian në Shqipëri SH.T.Z Alberto Cutillo, drejtorit të Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim,  z. Nino Merola, zyrtarëve të UNDP-së si dhe qytetarëve të Përmetit.

Duke filluar nga viti 2018, projekti i UNDP-së, STAR2 “Konsolidimi i Reformës Administrative dhe Territoriale” në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe bashkitë përfituese, ka avancuar me zbatimin e SIZN. Më shumë se 70 shërbime administrative janë kataloguar, testuar dhe validuar.

Deri në fund të vitit 2019, 49 bashki në të gjithë Shqipërinë do të pajisen me Sistemin Informatik të Zyrave me një Ndalesë. Ky sistem do të sjellë përfitime si për bashkitë, ashtu edhe për qytetarët, më konkretisht duke garantuar shërbime të standardizuara dhe lehtësisht të aksesueshme, duke zvogëluar distancat dhe  kohën, vënien në dispozicion të të dhënave dhe treguesve kryesorë të performancës për stafin dhe sektorët, si dhe reduktimin e dokumentacionit dhe proceseve burokratike.

Znj. Limya Eltayeb, Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, theksoi se: “Përdorimi i një sistemi të tillë inovativ dhe vënia në zbatim e një programi të mirë IT nuk mjafton për të dhënë një zgjidhje të plotë. Sistemi i ri përbën një ndryshim në kulturën e punës, gjë që kërkon jo vetëm ndërgjegjësimin e qytetarëve për përdorimin e tij, por edhe angazhimin e punonjësve bashkiakë për të mësuar rreth sistemit dhe për ta përdorur atë në mënyrë perfekte. Modernizimi i ofrimit të shërbimeve përmes përdorimit të teknologjisë nuk përbën një objektiv në vetvete, por ka të bëjë me përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve, reduktimin e burokracive dhe procedurave, rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së punës së administratës vendore, dhe rritjen e besimit dhe kënaqësisë së qytetarëve kundrejt administratës publike”.

Projekti STAR 2 po punon për të forcuar kapacitetet institucionale dhe administrative të 61 bashkive të Shqipërisë; rritjen e efikasitetit të tyre në ofrimin e shërbimeve vendore dhe rritjen e demokracisë vendore.

STAR 2 mbështetet nga shumë partnerë ndërkombëtarë të zhvillimit përmes një mekanizmi të përbashkët financimi, ku përfshihen: Bashkimin Evropian, Qeveritë e Suedisë, Italisë, Zvicrës dhe USAID, UNDP dhe  Qeverisë së Shqipërisë. Projekti zbatohet nga Ministria e Brendshme në partneritet me UNDP-në.