Prezantohen Instrumentat për Transparencë dhe Llogaridhënie Efektive

Auditimi i bashkive – KLSH: Zbatimi i rekomandimeve, i ulët. Në 23 njësi, vetëm 40%
July 4, 2018
ATSH/ Prezantohen instrumentet për llogaridhënie efektive të qeverisjes vendore
July 12, 2018

Prezantohen Instrumentat për Transparencë dhe Llogaridhënie Efektive

Tiranë, 11 Korrik 2018– U prezantuan  në Këshillin Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore Instrumentat për Transparencë dhe Llogaridhënie efektive të qeverisjes vendore.

Me gjithë ekzistencën e kuadrit ligjor nxitës për transparencë dhe llogaridhënie përfshirë Ligjin për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, atë për Vetëqeverisjen Vendore dhe për Financat Vendore etj., zbatimi i tij efektiv në nivelin vendor mbetet ende një sfidë për Bashkitë e Shqipërisë.

Një vlerësim i situatës mbi transparencën dhe llogaridhënien në nivel vendor evidentoi, ndër të tjera, se nuk ka nje set treguesish të qartë për monitorimin e transparencës dhe llogaridhënies së bashkive.

Përgjithësisht, bashkitë kanë vënë në zbatim në mënyrë formale modelin e Programit të Transparencës të miratuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP), por asnjë prej tyre nuk ka mundur të zhvillojë dhe përshtasë Programin e Transparencës me misionin dhe fushën e veprimtarisë së njësive të vetqeverisjes vendore.

Në përgjigje të këtyre sfidave, projekti STAR2, (Konsolidim i Reformës Administrative Territoriale) në konsultim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Drejtave Personale (KDIMPD), zhvilloi një Model standard të Programit të Transparencës  për qeverisjen vendore shoqëruar me një Sistem  Matje të Transparencës në nivel vendor. Ky Program Transparence është ndërtuar mbi parimet e informimit të qytetarëve: në mënyrë të plotë; të ligjshme, transparente dhe mos diskriminuese; si dhe nëpërmjet procedurave më të thjeshta administrative – për qytetarin.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ të Qeverisjes  Qendrore me Vetqeverisjen Vendore, anëtarët e  e këtij Këshilli dhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit diskutuan dhe dhanë opinionet mbi instrumentet e prezantuara.

Qeveria Shqiptare e konsideron asistencën e STAR 2 thelbësore për Konsolidimin e metejshëm të bashkive të reja, si dhe për avancimin e Reformës së Decentralizimit dhe Përmirësimin e Qeverisjes Vendore në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Decentralizimit. Qeveria është e angazhuar për të siguruar maksimizimin e përfitimit të bashkive nga kjo asistencë”, tha znj.Romina Kuko, Zëvendës Ministër i Brendshëm.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vlerësoi Programin e Transparencës si një instrument i rëndësishëm për Qeverisjen Vendore që do të ndikojë në progresin e zbatimit të ligjit për të drejtën e Infomimit në nivel vendor.

Ky instrument rrit transparencën dhe llogaridhënien në funksion të mirëqeverisjes në fuksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve”, u shpreh z.Besnik Dervishi.

PNUD, është i angazhuar që të vijojë mbështetjen e forcimit të qeverisjes vendore në Shqipëri. Një dimension thelbësor i asistencës së PNUD është  përmirësimi i qeverisjes vendore, përmes rritjes se  transparencës, llogaridhëniës,  etikës dhe integritetit dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje”, tha znj.Limya Eltayeb, drejtore e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Shqipëri.

Me tej znj Eltayeb tha se: “Konsultimi i gjerë i këtyre instrumenteve me aktorët e interesit është një hap i rëndësishëm për finalizimin e këtyre modeleve.  Për këtë qëllim, deri më tani janë zhvilluar 4 takime konsultuese rajonale në nivel vendor me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 61 bashki,  si dhe shoqërisë civile dhe medias. Hapi final është pikërisht diskutimi sot i Modelit të Programit të Transparencës dhe Sistemit Matës në Këshillin Konsultativ Qeveri Qendrore me Vetëqeverisje Vendore”.

Pas procesit të konsultimit, modeli final i Programit të Transparencës do të miratohet nga KDIMDP,  duke u bërë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga bashkitë.

Asistenca teknike për zhvillimin e modelit të Programit të Transparencës, po zbatohet nga Insituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në kuadër të projektit STAR2.

Projekti STAR2 – Konsolidimi i Reformës Administrative Territoriale në Shqipëri financohet  nga Bashkimi Europian, Suedia, Italia, Zvicra, USAID, PNUD dhe Qeveria e Shqipërisë. Projekti zbatohet nga PNUD në partneritet me  Ministrinë e Punëve të Brendshme.