Kryetarët e bashkive propozojnë riorganizim territori bazuar në modelin e rretheve

Reforma territoriale në Vlorë: rritje e potencialit njerëzor dhe turistik
March 9, 2018
Ambasadorët vlerësojnë procesin e reformës territoriale
March 9, 2018

Kryetarët e bashkive propozojnë riorganizim territori bazuar në modelin e rretheve

Tiranë, 29 prill 2014 – Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot një seancë të hapur dëgjimorë me përfaqësuesit e qeverisjes vendore. Të pranishëm në këtë takim, kryetarët e Bashkisë së Lezhës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Gjirokastës dhe Pogradecit ritheksuan nevojën urgjente për një riorganizim të territorit dhe rekomanduan reduktim të thellë të njësive vendore per te arritur qellimet dhe rezultatet e pritura nga reforma territoriale.

Krerët e bashkive ishin të mendimit se ndarja e rë administrativo-territoriale duhet të bazohet në modelin e para viteve ’90, atë të rrethit, si një përvojë pozitive.

Kreu i Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Doko propozoi që Qarku i Durrësit të ketë vetëm dy njësi vendore, Durrësin dhe Krujën. “Ne duhet të bëjmë të mundur të realizojmë zhvillimin e qëndrueshëm dhe çdo bashki duhet të ketë hapësirat për decentralizimin fiskal, që është domosdoshmëri dhe mundësi zhvillimi. Ne nuk duhet të presim vetëm grante nga Qeveria për të zhvilluar zonat”, u shpreh ai.

Kryetari i Bashkisë së Fierit, z.Baftjar Zeqaj propozoi që për qarkun e Fierit të jenë vetëm 3 njësi, Fieri, Lushnja dhe Mallakastra. Në këtë mënyrë, sipas z. Zeqaj, këto njësi do të administrohen më mirë sesa të copëtohen më shumë.

Kryetarët e bashkive propozuan që të zvogëlohet numri i këshilltarëve për të patur një këshill më cilësor dhe sipas standardeve si dhe që 4% nga tatimi mbi fitimin dhe të ardhurat personale të shkojnë për qeverisjen vendore.